“Vrau në Belgjikë në ’97 vajzën që e shfrytëzoi për prostitucion”, policia jep detaje mbi krimet e Sokol Hoxhës

Sokol Hoxha, 51 vjeç u ekstradua këtë të enjte nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Shqipëri.

Hoxha rezulton i dënuar nga Gjykata e Fierit me 25 vite burgim për vrasjen e dy vëllezërve në Patos në vitin 1997.

Po në të njëjtin vit, Hoxha ka vrarë në Belgjikë edhe një vajzë shqiptare, të cilën më parë e kishte shfrytëzuar për prostitucion. Për këtë krim, ai është dënuar me burgim të përjetshëm në Belgjikë.

Njoftimi i policisë:

Si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Shërbimit të Sigurisë Diplomatike të Ambasadës Amerikane në Tiranë, Departamentit të Policisë Kriminale/Njësisë së Hetimeve të Përbashkëta, Interpol Tiranës, Interpol Uashingtonit, Interpol Mançesterit dhe Interpol Brukselit, në kuadër të operacionit të koduar “Globi”, u finalizua procedura për deportimin në Shqipëri, të shtetasit të arrestuar në Ohio, më datë 05.05.2026:

-Sokol Hoxha, 51 vjeç, lindur në Fier.

Ky shtetas, në vitin 2000, është dënuar nga Gjykata e Fierit, me 25 vjet burgim, për veprën penale “Vrasja”, kryer në bashkëpunim, pasi më datë 30.03.1997, në Patos, Fier, në bashkëpunim me shtetasin D. S., ka vrarë me armë zjarri, shtetasit H. B. dhe I. B. (vëllezër), për motive të dobëta.

Gjithashtu, në vitin 2010, është dënuar nga Gjykata e Brukselit, Belgjikë, me burgim të përjetshëm, për veprën penale “Vrasja me dashje”, pasi më datë 29.08.1997, ka vrarë me armë zjarri, në Bruksel, një shtetase shqiptare, të cilën më parë e kishte shfrytëzuar për prostitucion.

Deportimi i shtetasit Sokol Hoxha, mëngjesin e sotëm, rezultat i bashkepunimit te vazhdueshem ndërkombëtar policor ndërmjet hetuesve nga Njësia Speciale Policore e Departamentit të Policisë Kriminale (e njohur si Njësia e Përbashkët e Shërbimeve Investiguese), e cila punon ngushtë me Njësitë e Hetimeve Ndërkombëtare Kriminale DSS/OCIU në Ambasadën Amerikane në Tiranë, si dhe me Marshallët Amerikanë dhe me ICE-ERO në ShBA.

Policia e Shtetit është maksimalisht e angazhuar dhe e vendosur për të qëndruar përkrah partnerëve amerikanë për hetime të përbashkëta dhe në veçanti për rastet e shtetasve në kerkim që i fshihen sistemeve të drejtesise të të dyja vendeve.

Copyright © 2026 Miks News. All rights reserved.