Paolo Bulgari, një prej emrave më të njohur të industrisë ndërkombëtare të bizhuterive luksoze, është ndarë nga jeta në Romë, në moshën 89-vjeçare. Lajmi u bë i ditur nga familja e tij të shtunën, më 21 nëntor, e cila e kujtoi si një njeri me humanizëm të jashtëzakonshëm dhe me talent të rrallë sipërmarrës.
Familjarët e cilësuan atë si “argjendarin më të madh të kohës sonë”. I lindur në Romë në vitin 1937, Paolo Bulgari ishte nipi i Sotirios Voulgaris, argjendarit me origjinë greke që themeloi kompaninë Bvlgari në Itali, pasi u largua nga vendlindja e tij, Paramithia, në rajonin e Epirit.
Paolo iu bashkua biznesit familjar në vitin 1960, duke punuar fillimisht me të atin dhe duke u specializuar në gurët e çmuar. Njohuritë e tij në këtë fushë u bënë një nga elementet kryesore të identitetit artistik të kompanisë.
Së bashku me të vëllain Nicola dhe nipin Francesco Trapani, ai udhëhoqi zgjerimin ndërkombëtar të kompanisë, duke e kthyer Bvlgari në një prej emrave më prestigjiozë të luksit.
Nën drejtimin e tij, marka hapi dyqane në qytete të rëndësishme si Nju Jorku, Parisi, Gjeneva dhe Monte Karlo. Biznesi u zgjerua përtej bizhuterive, duke përfshirë orët luksoze, parfumet, aksesorët prej lëkure dhe më vonë edhe sektorin e hoteleve.
Paolo Bulgari drejtoi grupin që prej vitit 1984, duke kontribuar në konsolidimin e identitetit të tij ndërkombëtar. Krijimet e Bvlgari-t u bënë pjesë e koleksioneve të personazheve më të njohur të botës, përfshirë Elizabeth Taylor dhe shumë yje të tjerë të Hollivudit.
Një nga momentet më të rëndësishme në historinë e kompanisë ishte viti 2011, kur familja Bulgari vendosi t’i shiste grupit francez LVMH shumicën kontrolluese të aksioneve, në një marrëveshje me vlerë mbi 5 miliardë dollarë. Ky vendim i dha fund kontrollit të drejtpërdrejtë të familjes mbi kompaninë, por Paolo Bulgari vazhdoi të mbetej i lidhur me krijimtarinë dhe trashëgiminë artistike të markës.
Ai ishte veçanërisht i njohur për përdorimin e guximshëm të gurëve me ngjyra, arit të verdhë dhe dizajneve të frymëzuara nga historia dhe arti i Romës së lashtë.
Pavarësisht suksesit në botën e luksit, Paolo Bulgari nuk i harroi rrënjët e familjes dhe historinë e emigrimit të gjyshit të tij nga Greqia drejt Italisë. Në vitin 2019, së bashku me bashkëshorten, themeloi Fondacionin Paolo Bulgari, i cili synon të mbështesë arsimimin dhe formimin profesional të të rinjve nga zonat më të varfra të Romës.
Me largimin e tij, industria e bizhuterive humbet një prej figurave që ndihmuan në ndërtimin e identitetit të luksit italian në skenën ndërkombëtare. Ceremonia mortore e Paolo Bulgari-t do të mbahet të hënën, më 23 nëntor, në orën 11:00, në Bazilikën Santa Croce in Gerusalemme në Romë.
