Sot, më 22 nëntor, është dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, e cila festohet çdo vit për të përkujtuar një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë kulturore dhe kombëtare të shqiptarëve: Kongresin e Manastirit, mbajtur nga 14 deri më 22 nëntor 1908.
Kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjetet sociale një video me fotografi të shkëputura nga ajo kohë, të cilën e shoqëron me një poezi në gjuhën shqipe kushtuar alfabetit.
Kryeministri Rama shkruan krahas videos se në hijeshinë e gërmave të gjuhës shqipe jeton kujtesa e kombit shqiptar.
“Mirëmëngjes dhe në ditën e më të bukurave gërma, nën hijeshinë e së cilave jeton kujtesa e kombit tonë dhe frymon e ardhmja, ju uroj një të diel të qetë”, ka shkruar Rama krahas videos.
Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe u shpall festë zyrtare në Shqipëri në vitin 2023 dhe për herë të parë u kremtua si një festë kombëtare atë vit. Kjo ditë festohet gjithashtu në Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe në diasporën shqiptare, duke reflektuar rëndësinë e saj për të gjithë shqiptarët kudo ndodhen.
