Qarkullimi në superstradën Tiranë–Durrës do të bllokohet përkohësisht gjatë orëve të natës, për shkak të punimeve që po zhvillohen në kuadër të projektit për zgjerimin e aksit rrugor.
Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) njofton se kufizimet do të aplikohen më 21 dhe 22 shtator, nga ora 23:00 deri në 05:00, ndërsa bllokimi do të prekë fillimisht drejtimin Tiranë–Durrës dhe më pas Durrës–Tiranë.
Bllokimi më 21 shtator
Nga ora 23:00 e së hënës, 21 shtator, deri në orën 05:00 të mëngjesit të 22 shtatorit, do të bllokohet përkohësisht qarkullimi në drejtimin Tiranë–Durrës.
REKLAMË
Trafiku do të devijohet nëpërmjet rampës në drejtim të Rinasit dhe më pas do të vijojë në rrugën dytësore. Drejtuesit e mjeteve do të mund të rikthehen në superstradë nëpërmjet rrugës së Rinasit dhe rampës së saj në drejtim të Durrësit.
Për mjetet e rënda, veçanërisht kamionët, devijimi duhet të nisë që nga rrethrrotullimi i “Casa Italia”, me qëllim shmangien e përdorimit dhe dëmtimit të rampës provizore të Rinasit.
Bllokimi më 22 shtator
Një natë më pas, më 22 shtator, nga ora 23:00 deri në 05:00 të 23 shtatorit, do të bllokohet përkohësisht qarkullimi në drejtimin Durrës–Tiranë.
Trafiku do të devijohet nëpërmjet mbikalimit Kashar–Thumanë dhe do të vijojë në rrugën dytësore në anën e majtë deri pas mbikalimit të Kasharit, ku automjetet do të rikthehen në autostradë në drejtim të Tiranës.
Mjetet që kanë si destinacion Rinasin, Shkodrën apo Kosovën do të sinjalizohen dhe orientohen që në mbikalimin e autostradës Kashar–Thumanë për të vijuar drejt destinacioneve përkatëse.
Gjatë intervaleve të bllokimit, qarkullimi do të devijohet në rrugët dytësore në të dyja anët e superstradës, sipas sinjalistikës së vendosur dhe Planit të Menaxhimit të Trafikut.
ARRSH u bën thirrje drejtuesve të mjeteve që të planifikojnë paraprakisht itinerarin dhe, sa të jetë e mundur, të shmangin këtë segment gjatë orareve kur do të kryhen punimet.
