Një 85-vjeçar shqiptar ka humbur jetën në aeroportin “Marconi” të Bolonjës, në Itali, pasi pësoi arrest kardiak gjatë uljes së avionit.
Sipas mediave italiane, i moshuari po udhëtonte nga Tirana drejt Bolonjës, së bashku me disa familjarë. Për shkak të problemeve të mëparshme shëndetësore, ai kishte kërkuar asistencë mjekësore gjatë uljes së avionit.
Megjithatë, gjendja e tij u përkeqësua dhe 85-vjeçari pësoi arrest kardiak.
Shërbimet e urgjencës, të cilat ishin njoftuar paraprakisht për situatën, ndërhynë menjëherë pas uljes së avionit. Pavarësisht përpjekjeve për ta shpëtuar, i moshuari nuk mundi të mbijetonte.
Në aeroport mbërriti edhe Policia italiane e Shtetit, e cila ka nisur hetimet për të dokumentuar rrethanat e ngjarjes.
