Konferenca e 8-të Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE, në tryezë 5 kapituj të rinj të negociatave

Konferenca e 8-të Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian do të mbahet më 26 maj 2026, ora 19:00.

Ky vendim përbën një moment të rëndësishëm në ecurinë e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe konfirmon progresin e qëndrueshëm të Shqipërisë në përmbushjen e prioriteteve kyçe të procesit të negociatave për anëtarësim, të shtetit të së drejtës dhe konsolidimit të institucioneve demokratike.

Ky vendim vlerëson progresin e Shqipërisë në konsolidimin e reformës në drejtësi, si dhe në funksionimin e pavarur, efikas e integritetin e institucioneve të drejtësisë dhe institucioneve të pavarura, si dhe në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Gjithashtu, ky vendim vlerëson progresin në fushën e të drejtave të njeriut, përfshirë lirinë e shprehjes dhe të medias, të drejtën e pronës, respektimin e të drejtave të pakicave kombëtare, barazinë dhe mosdiskriminimin, në përputhje me standardet dhe vlerat themelore të Bashkimit Evropian.

Vendimi i sotëm rikonfirmon mbështetjen e Bashkimit Evropian për perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe vlerëson angazhimin e institucioneve shqiptare në zbatimin e reformave transformuese, për forcimin e shtetit të së drejtës, konsolidimin demokratik dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik e shoqëror.

Shqipëria, e mbështetur në progresin e deritanishëm dhe e udhëhequr nga një vizion i qartë evropian, mbetet e vendosur të thellojë reformat dhe rezultatet në fushën e gjyqësorit dhe të drejtave themelore, drejtësisë, lirisë dhe sigurisë, prokurimit publik, statistikave dhe kontrollit financiar, të Grupkapitullit I “Themelorët” dhe më gjerë, dhe të ecë me ritëm të qëndrueshëm në plotësimin e kritereve për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, brenda kësaj dekade.

Ky është Projekti Madhor Kombëtar i Transformimit Evropian të Shqipërisë.

Copyright © 2026 Miks News. All rights reserved.