Kreu i SPAK-ut, Klodjan Braho, ka kërkuar sot rishikimin e kuadrit ligjor për veprat penale që trajtohen nga Prokuroria e Posaçme, duke vënë theksin te nevoja për ndryshime në fushën e korrupsionit.
Megjithëse u shpreh se aktualisht nuk shihen nevoja për ndryshime të mëdha në legjislacion, Braho theksoi se duhet rishikuar “fasha” e veprave të korrupsionit, e cila aktualisht nis nga 50 mijë lekë të reja. Sipas tij, kjo shumë është e ulët dhe ndikon në rritjen e numrit të çështjeve që mbërrijnë në SPAK.
Duke iu përgjigjur pyetjeve për ngarkesën e punës në institucion, Braho tha se aktualisht janë 20 prokurorë, një numër që e konsideron të mjaftueshëm, ndërsa njoftoi se pritet të shtohen 40 hetues të rinj në BKH, gjë që sipas tij do të ndikojë në uljen e ngarkesës dhe rritjen e cilësisë së hetimeve. Ai shtoi gjithashtu se është përmbyllur edhe procesi i rekrutimit të 10 oficerëve të policisë gjyqësore dhe se priten procedura të tjera rekrutimi në të ardhmen.
Vatë Staka: Ngarkesa juaj e punës është shumë e madhe. A duhen bërë ndryshime në procedurë, a duhet të liroheni ju nga ngarkesa e madhe që keni?
Klodian Braho: Ngarkesa është e lartë, do rritet dhe më tej, por mendoj se numri 20 i prokurorëve është i mjaftueshëm. Lajmi i mirë është që do fillojmë rekrutimin e 40 hetuesve të tjerë në BKH. Është një numër i lartë që do ndikojë në uljen e ngarkesës dhe rritjen e cilësisë. Ka përfunduar edhe procesi i konkurrimit të 10 oficerëve të policisë gjyqësore. Kemi planifikuar që të hapim një procedurë tjetër për OPGJ. Sa i përket ndryshimeve ligjore, nuk shoh diçka që është gabim në këtë moment.
Përveç diskutimeve që kemi bërë më parë, për disa vepra penale që lidhen me korrupsionin aktiv dhe pasiv. Fasha prej 50 mijë lekësh mendoj që duhet parë, duhet të jetë diçka më e lartë. Është një shumë e vogël dhe rrit ngarkesën. Edhe te prokurimet publike, duhet rritur fasha pasi është e vogël.
