Meta ka çaktivizuar rreth 756 mijë llogari në Facebook dhe Instagram në Australi, të cilat dyshohet se u përkisnin përdoruesve nën moshën 16 vjeç.
Sipas kompanisë, që nga 30 qershori janë çaktivizuar 462 mijë llogari në Instagram dhe 294 mijë në Facebook. Australia është vendi i parë në botë që ka vendosur një moshë minimale kombëtare 16 vjeç për përdorimin e rrjeteve sociale, masë që hyri në fuqi në dhjetor 2025.
Meta tha se më shumë se 500 mijë llogari ishin hequr që përpara hyrjes në fuqi të ligjit, ndërsa procesi i zbatimit vijon dhe numri pritet të rritet.
Kompania përdor inteligjencën artificiale për të identifikuar përdoruesit që mund të jenë nën 16 vjeç, duke analizuar postime, komente, biografi dhe përmbajtje të tjera që mund të përmbajnë të dhëna për moshën, si ditëlindjet apo klasat e shkollës.
Meta ka forcuar gjithashtu masat për të parandaluar rikrijimin e llogarive nga përdoruesit e çaktivizuar dhe ka lehtësuar raportimin e llogarive që dyshohet se u përkasin të miturve.
Australia është ndër disa vende që po vendosin kufizime më të forta për përdorimin e rrjeteve sociale nga fëmijët, ndërsa masa të ngjashme po shqyrtohen edhe në vende të tjera.
