Tragjedi familjare në Lushnjë: Dy motra humbin jetën pasi makina përfundoi në kanal

Një aksident i rëndë i ndodhur pasditen e sotme në afërsi të fshatit Çukas, në Lushnjë, ka përfunduar në tragjedi për një familje.

Dy gratë që humbën jetën pasi automjeti me të cilin udhëtonin doli nga rruga dhe përfundoi në një kanal me ujë, ishin motra. Viktimat janë identifikuar nga Policia e Shtetit si Florije Xhepa, 53 vjeçe, dhe motra e saj, Mirela Hasko, 50 vjeçe.

Sipas të dhënave paraprake, automjeti drejtohej nga Florije Xhepa, ndërsa Mirela Hasko ndodhej në sediljen e pasagjerit. Për shkaqe që ende nuk janë bërë të qarta, drejtuesja humbi kontrollin mbi automjetin, i cili doli nga rruga, u përmbys dhe përfundoi në kanalin e mbushur me ujë.

Të dyja motrat mbetën të bllokuara brenda automjetit të zhytur në ujë dhe, pavarësisht ndërhyrjeve, nuk mundën të shpëtonin.

Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e plota të aksidentit tragjik.

Copyright © 2026 Miks News. All rights reserved.