Lirohet nga burgu ish-drejtoresha e Postës Durrës, gjykata e lë në “arrest shtëpie”

Gjykata e Durrësit ka vendosur zëvendësimin e masës së sigurisë nga “arrest në burg” me “arrest në shtëpi” për ish-drejtoreshën e filialit të Postës Shqiptare në Durrës Elisabeta Mataj.

Mataj ndodhej në paraburgim prej muajit korrik, nën hetim për dyshimet mbi përvetësimin e rreth 69 milionë lekëve të rinj, fonde të destinuara për pensionet në degët e Postës në Shijak dhe Krujë.

Sipas informacionit për vendimin e ri, gjykata ka vlerësuar se në këtë fazë të hetimit kanë ndryshuar rrethat, duke zbutur masën e sigurisë nga arrest me burg në arrest shtëpie.

Ndryshimi i masës nuk nënkupton pushimin e hetimeve dhe as shpalljen e pafajësisë së të hetuarës.

Përgjegjësia penale do të përcaktohet në përfundim të procesit gjyqësor. Elisabeta Mataj është një nga tre zyrtaret e Postës së Durrësit të përfshira në hetim.

Në korrik, ish-shefja e financës Valbona Duni dhe arkëtarja Paola Dana u lanë që në fillim në “arrest në shtëpi”. Hetimet për mungesën e rreth 69 milionë lekëve vijojnë.

Copyright © 2026 Miks News. All rights reserved.