Kërcënoi një grua me foto nudo dhe i mori 15 mijë euro, shqiptari përfundon në polici në Rodos

Greqi, Policia

Një 28-vjeçar me origjinë shqiptare është kallëzuar në polici në Rodos nga një 44-vjeçare me origjinë polake, e cila pretendon se ai e ka mashtruar për një shumë prej më shumë se 15 mijë eurosh dhe më pas e ka kërcënuar me publikimin e materialeve personale. Sipas mediave greke, çështja është marrë në hetim nga Nëndrejtoria e Hetimit dhe Ndjekjes Penale të Krimit në Rodos, pas kallëzimit të bërë nga gruaja.

Sipas dëshmisë së 44-vjeçares, 28-vjeçari dyshohet se e ka bindur atë, duke i paraqitur informacione dhe fakte të rreme, që t’i transferonte shuma të ndryshme parash në disa këste gjatë periudhës nga tetori 2024 deri në nëntor 2025. Në total, gruaja pretendon se i ka dhënë 28-vjeçarit 15,417 euro. Kur kuptoi se informacionet që i ishin paraqitur nuk përputheshin me realitetin, ajo i kërkoi atij që t’i kthente paratë.

Sipas kallëzimit, në këtë pikë situata mori një tjetër drejtim. 28-vjeçari dyshohet se e ka kërcënuar gruan dhe i ka thënë se do t’ua dërgonte të afërmve të saj foto nudo të saj, të cilat pretendohet se i kishte në posedim. E frikësuar nga kërcënimet, 44-vjeçarja iu drejtua autoriteteve policore dhe bëri kallëzim për mashtrimin financiar dhe kërcënimet që pretendon se kishte marrë. Pas denoncimit, policia e Rodosit ka proceduar penalisht 28-vjeçarin për mashtrim, kërcënime dhe pornografi për hakmarrje, ndërsa hetimet për rastin vijojnë.

Copyright © 2026 Miks News. All rights reserved.