“Keni dëgjuar për Revolucionin e Flamingove?”, Rama në OKB: Qytetarët në Tiranë protestuan kundër një fantazme

Miks Albania

Kryeministri Edi Rama, në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në New York, u ndal te ndikimi i Inteligjencës Artificiale dhe platformave digjitale në shoqëri dhe demokraci. Rama solli si shembull u ndal edhe te protestat në Tiranë, duke iu referuar “Revolucionit të Flamingove” si një narrative të fabrikuar.

“Jam i sigurt se e keni ndjekur ose të paktën e njihni të ashtuquajturin ‘Revolucioni Flamingo’. Një narrativë e fabrikuar për një pushtim izraelit të bregdetit shqiptar, një pushtim që nuk ndodhi kurrë, u krijua, u personalizua dhe u shpërnda përmes zërave, faqeve dhe kanaleve që qytetarët i besonin tashmë”, tha Rama.

Sipas kryeministrit, narrativa u përshtat për audienca të ndryshme, duke nxitur reagime të ndryshme emocionale. “Një qytetar mori një histori për tradhti kombëtare. Një tjetër mori një histori për provokim fetar. Një tjetër mori një teori konspirative për pushtim të huaj. Publikime të ndryshme hynë në botë të ndryshme emocionale, të gjitha duke i shërbyer së njëjtës gënjeshtër strategjike”, u shpreh ai.

Rama tha se pasojat e kësaj narrative ishin reale, pasi qytetarët dolën në protestë, ndërsa sipas tij, po protestonin edhe kundër një “armiku fantazmë”. “Frika u shndërrua në zemërim. Zemërimi u shndërrua në mobilizim dhe fabrikimi u shndërrua në realitet politik. Dhe kjo nuk është dhe nuk ishte një eksperiment laboratorik. Ishte një e martë në Tiranë, kryeqytetin tonë”, deklaroi kryeministri.

Në vijim, Rama e lidhi këtë shembull me rrezikun e manipulimit të opinionit publik përmes algoritmeve. “Algoritmi nuk e shpiku objektivin. E bëri një aktor njerëzor. Algoritmi nuk zhvilloi urrejtje. Ai zbuloi se si të aktivizonte urrejtjen tonë”, tha Rama, duke shtuar se ndërhyrja në zgjedhje tashmë mund të synojë edhe votues individualë përmes përmbajtjeve të personalizuara.

Copyright © 2026 Miks News. All rights reserved.