3 ditë zie për 68 viktimat e aksidentit hekurudhor në Spanjë, Sanchez: Hetimet do të shkojnë deri në fund

Përplasja e dy trenave me shpejtësi të lartë në Spanjë, ku humbën jetën të paktën 68 persona dhe dhjetëra të tjerë mbetën të plagosur, ka tronditur vendin. Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, ka shpallur tri ditë zie zyrtare, më 29, 30 dhe 31 tetor, në nderim të viktimave të tragjedisë.

Gjatë një deklarate nga vendngjarja, Sanchez u zotua se hetimet do të shkojnë deri në fund për të zbardhur shkaqet e aksidentit. Ai theksoi se, nëse do të konstatohen neglizhencë apo mangësi në sistemin e sigurisë, autoritetet do të reagojnë me vendosmëri.

“Do të shkojmë deri në fund. Nëse ka pasur neglizhencë, do të zbulohet; nëse ka pasur mangësi në sistemin e sigurisë, do të ketë një reagim të vendosur”, deklaroi Sanchez.

Kryeministri e cilësoi të papranueshme që Spanja të përballet me dy tragjedi të rënda hekurudhore brenda një viti, duke iu referuar edhe aksidentit të mëparshëm në Adamuz. Ai tha se përparësia e qeverisë është t’u vijë në ndihmë viktimave dhe familjarëve të tyre, si dhe të sigurojë koordinimin mes institucioneve të përfshira në përballimin e situatës.

Më herët, në një postim në rrjetin social X, Sanchez u shpreh se ishte i tronditur nga aksidenti i rëndë në Toledo dhe përcolli solidaritetin e tij për viktimat dhe familjet e tyre. Ai bëri të ditur se ishte në kontakt të vazhdueshëm me ministrin e Transportit dhe presidentin e rajonit të Castilla-La Mancha, ndërsa ekipet e emergjencës vijonin punën në terren.

Edhe mbreti Felipe VI shprehu tronditjen dhe shqetësimin për ngjarjen, duke përcjellë ngushëllimet për familjet e viktimave dhe mbështetjen për të plagosurit. Mbreti anuloi aktivitetet e planifikuara deri të enjten, ndërsa disa parti politike pezulluan aktivitetet publike pas aksidentit.

Shkaqet e përplasjes së dy trenave në Urda, në provincën e Toledos, mbeten nën hetim.

Copyright © 2026 Miks News. All rights reserved.