Pas dekadash shpresash të shuara, studiuesit kanë gjetur një ilaç eksperimental që ka potencialin të zgjasë jetën e pacientëve me kancer të pankreasit. Ilaçi i quajtur “daraxonrasib” konsiderohet si trajtimi i parë i rëndësishëm që jep përfitime të mundshme mbijetese në sprovat klinike.
Një provë në fazën e vonë e kryer me 500 pacientë tregoi se pacientët të cilëve iu administrua ilaçi i ri, së bashku me kimioterapinë, mbijetuan mesatarisht 13.2 muaj krahasuar me 6.7 muaj për pacientët që i nënshtroheshin vetëm kimioterapisë. Ilaçi përqendrohet në një lloj specifik të mutacionit të proteinave të njohur si KRAS, i cili përbën mbi 90 përqind të kancerit të pankreasit dhe formave të tjera të kancerit, duke përfshirë kancerin e mushkërive dhe të zorrës së trashë.
Për dekada të tëra, studiuesit mjekësorë besonin se kjo proteinë ishte “e patrajtueshme” për shkak të sipërfaqes së saj yndyrore. Ajo vepron nëpërmjet mekanizmit të “ngjitësit molekular”, duke formuar lidhje me proteina të tjera për të penguar funksionimin e KRAS.
Ilaçi ka gjithashtu efekte anësore të zakonshme që prekën pothuajse 96% të pacientëve që morën pjesë në provat e hershme. Simptomat e zakonshme përfshijnë skuqje me flluska, plagë në gojë, të përziera dhe diarre. 30% e pacientëve përjetuan reaksione të rënda, por studiuesit thanë se përfitimet i tejkalojnë ndjeshëm rreziqet.
FDA tashmë e ka vënë ilaçin në fazën e përshpejtuar të miratimit dhe ka autorizuar akses të zgjeruar, duke u mundësuar pacientëve jashtë provave klinike ta marrin atë. Prodhuesi i ilaçeve Revolution po vepron me shpejtësi për ta bërë atë të disponueshëm për trajtim.
