Një ngjarje tejet e rëndë ka ndodhur orët e para të mëngjesit të kësaj të marte, 18 gusht.
Siç njofton Policia, 20-vjeçari francez, Miguel Mendes, është gjetur pa shenja jete në shezlongët e plazhit, para një lokali në Ksamil.
Paraprakisht dyshohet se pas një konflikti për motive të dobëta, i riu është goditur me thikë nga një 29 vjeçar nga Hasi. Ky i fundit është larguar menjëherë nga vendi ku ka kryer krimin.
Rreth 5 orë më vonë, policia ka bërë të mundur arrestimin e tij në Levan të Fierit, aty ku ishte ngritur një pikë kontrolli nga forcat operacionale dhe “Shqiponjat”. Behet me dije se autori ishte fshehur në bagazhin e një makine, e cila drejtohej nga një grua. Në automjet, ndodhej edhe një 35-vjeçar. Të tre personat janë shoqëruar nga policia.
29-vjeçari, shtetasi me inicialet S.K., siç mësohet, rezulton i dënuar më parë për trafik droge në Britaninë e Madhe.
