Një 77-vjeçare është gjetur e pajetë këtë të hënë në banesën e saj në qytetin e Ersekës. E moshuara jetonte e vetme.
Sipas të dhënave paraprake, policia është njoftuar nga një prej fqinjëve, ndërsa pas mbërritjes në banesë, efektivët kanë gjetur 77-vjeçaren pa shenja jete.
Nga këqyrja paraprake e trupit nuk janë konstatuar shenja dhune. Dyshimet e para janë se e moshuara mund të ketë ndërruar jetë për shkaqe natyrale, ndërsa shkaku i saktë i vdekjes pritet të përcaktohet pas përfundimit të procedurave mjeko-ligjore.
Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor, i cili po punon për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Rasti i 77-vjeçares në Ersekë rikthen edhe një herë në vëmendje fenomenin e të moshuarve që jetojnë të vetëm, larg familjarëve të tyre. Ky nuk është rasti i parë në juglindje ku persona të moshës së tretë gjenden të pajetë në banesat e tyre, pasi jetojnë të vetmuar. Vetëm në qytetin e Korçës, gjatë nje viti 10 të moshuar kanë humbur jetën në banesat e tyre, pa pasur pranë familjarët.
