Tirana mirëpret sot Konferencën e Dytë të Investimeve BE–Ballkani Perëndimor, ku janë mbledhur mbi 600 investitorë nga Europa dhe rajoni, si dhe figura të njohura të politikës europiane dhe ekonomistë të mirënjohur.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama ka ndarë një mesazh për zhvillimin e aktivitetit në kryeqytet, duke uruar qytetarët për një ditë të mbarë.
“Mirëmëngjes dhe me Tiranën, e cila mirëpret Konferencën e Dytë të Investimeve BE – Ballkani Perëndimor, ku mblidhen mbi 600 investitorë, nga Europa e rajoni, si edhe disa figura të shquara të politikës europiane dhe ekonomistë të mirënjohur po ashtu, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.
Konferenca zhvillohet më 25 dhe 26 nëntor 2026 dhe synon të forcojë bashkëpunimin ekonomik mes Bashkimit Europian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe të tërheqë investime të reja në rajon.
Në fokus të diskutimeve janë sektorë strategjikë si energjia, infrastruktura, transporti dhe ndërlidhja rajonale, turizmi, teknologjia dhe kapitali njerëzor.
Përgjatë dy ditëve, aktiviteti do të përfshijë panele të nivelit të lartë, takime të drejtpërdrejta mes bizneseve (B2B) dhe sesione të posaçme për krijimin e partneriteteve, me synimin për të kthyer potencialin ekonomik të rajonit në projekte konkrete investimi.
