Konsumi i alkoolit, edhe në sasi të vogla, lidhet me një rritje të rrezikut për zhvillimin e disa llojeve të kancerit, sipas institucioneve kryesore shëndetësore botërore dhe studimeve shkencore ndërkombëtare, sipas “Science”. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), alkooli është klasifikuar si një substancë kancerogjene e Grupit 1 nga Agjencia Ndërkombëtare për Kërkime mbi Kancerin (IARC), një organ i OKB-së i specializuar për kërkime mbi kancerin. Ky klasifikim, i përcaktuar që në vitin 1988, nënkupton se ekzistojnë prova të mjaftueshme shkencore që alkooli shkakton kancer te njerëzit.
Studimet e kryera nga IARC-ja dhe organizata të tjera si, Instituti Kombëtar i Kancerit dhe Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve treguan se alkooli lidhet me të paktën shtatë lloje kanceri, përfshirë: kancerin e gjirit, mëlçisë, ezofagut, gojës dhe fytit dhe zorrës së trashë. Në nivel global, ai lidhet me rreth 740 mijë raste të reja kanceri çdo vit. Mekanizmat përfshijnë, dëmtimin e ADN-së, rritjen e hormoneve si estrogjeni dhe rritjen e përthithjes së substancave të tjera kancerogjene .
Studimet epidemiologjike dhe raportet e fundit treguan se edhe konsumimi i moderuar, mund të rrisë rrezikun për disa kancere, sidomos kancerin e gjirit dhe të zorrës së trashë. Ndërsa për disa lloje kanceri, rreziku fillon të rritet edhe me një pije në ditë. Megjithatë, shkencëtarët theksojnë se rreziku rritet me sasinë e konsumuar, pra sa më shumë alkool, aq më i madh rreziku. Sipas OBSH-së, nuk ka një sasi konsumimi të sigurt të alkoolit për shëndetin. Kjo vlen veçanërisht për rrezikun e kancerit, edhe pse ndikimi ndryshon nga individi në individ.
Disa studime më të vjetra kanë sugjeruar përfitime për zemrën nga konsumimi i moderuar i verës. Por, ekspertët theksojnë se këto studime shpesh janë observacionale dhe mund të ndikohen nga faktorë të tjerë si, stili i jetesës. Provat shkencore nga organizatat kryesore globale si, OBSH dhe IARC tregojnë qartë se, alkooli është një kancerogjen i provuar; rreziku ekziston edhe në nivele të ulëta dhe rritet me sasinë e konsumuar.
