Shi dhe rebeshe gjatë gjithë javës, meteorologu paralajmëron erëra mbi 80 km/h dhe zbulon kur pritet rritja e temperaturave

Miks Albania

Meteorologu i MetoAlb, Hakil Osmani, në një lidhje të drejtpërdrejtë për Euronews me Esmeralda Mulajn, ka bërë parashikimin e motit për ditët në vijim, duke paralajmëruar se e gjithë java do të karakterizohet nga vranësira të dendura dhe reshje shiu në të gjithë vendin.

Sipas Osmanit, reshjet më të dendura pritet të përqendrohen në zonat veriore dhe veriperëndimore, ndërsa në pjesën tjetër të territorit do të jenë më të pakta. Në disa momente, veçanërisht në intervale të shkurtra kohore, shiu pritet të marrë formën e rebesheve.

Meteorologu bëri të ditur se gjatë ditëve të para të javës reshjet do të jenë kryesisht me intensitet të ulët deri mesatar, ndërsa dita e premte paraqitet më problematike, pasi priten rebeshe me intensitet të lartë, veçanërisht në veri të vendit.

Sa i përket temperaturave, Osmani theksoi se të martën do të ketë një rënie të përkohshme, por nga e mërkura pritet një tendencë në rritje. Temperaturat minimale në zonat malore do të arrijnë në 6 gradë Celsius, ndërsa maksimumet gjatë së enjtes dhe të premtes do t’i afrohen vlerës 25 gradë Celsius.

Reshjet do të jenë kryesisht në formën e shiut, ndërsa vetëm në zonat e thella malore pritet të ketë reshje të pakta dëbore.

Një tjetër element që do të karakterizojë këtë javë është fuqizimi i ndjeshëm i erës. Sipas meteorologut, në hapësirat detare shpejtësia e saj mund të kalojë 80 km/h, ndërsa pranë brigjeve, kryesisht në jugperëndim, pritet të arrijë rreth 65 km/h.

Për këtë arsye, e enjtja dhe e premtja pritet të jenë ditët me problematikat më të theksuara sa i përket erës dhe trafikut.

Meteorologu këshillon vëmendje të shtuar gjatë ditëve të fundit të javës, kur pritet të intensifikohen si reshjet e shiut, ashtu edhe era.

Copyright © 2026 Miks News. All rights reserved.