Bordi i Transparencës ndryshoi sërish çmimin e karburanteve këtë të shtunë në tregun vendas, duke reflektuar edhe luhatjet e naftës në tregjet e huaja.
Sipas vendimit, një litër naftë nuk duhet të tregtohet më shumë se 209 lekë, nga 217 lekë që ishte një ditë më parë. Pra, duke nisur nga ora 16:00, nafta në pikat e shitjes me pakicë do të kushtojë 8 lekë më pak.
Në zbritje është edhe çmimi i benzinës, por ndryshe, ai ulet me vetëm 1 lek në krahasim me një ditë më parë. Bordi ka përcaktuar që një litër benzinë nuk duhet të shitet më shumë se 175 lekë.
Këto çmime do të jenë në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme të bordit, ndërsa operatorët paralajmërohen se nëse kapen në shkelje, do t’ju pezullohet aktiviteti.
Në tregjet ndërkombëtare, çmimi i naftës sot ka zbritur në rreth 90 dollarë/fuçi, nga rreth 95 dollarë që luhatej një ditë më parë.
