SHBA vendos sanksione ndaj dy kompanive iraniane

Administrata e Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka vendosur sanksione ndaj dy kompanive iraniane, të cilat akuzohen se kanë qenë pjesë e një skeme shantazhi ndaj anijeve tregtare që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit.

Departamenti amerikan i Thesarit njoftoi se Kompania e Sigurimeve Detare të Gjirit Persik dhe Autoriteti i Shërbimeve Detare HormuzSafe janë përfshirë në një skemë të mbështetur nga Trupat e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), e cila detyron anijet tregtare të blejnë sigurim detar të detyrueshëm për të kaluar nëpër këtë rrugë strategjike detare.

Sipas autoriteteve amerikane, policat e sigurimit të ofruara nga këto kompani mbulojnë rreziqe që, sipas SHBA-së, krijohen nga vetë Irani, përfshirë sekuestrimin e anijeve. Uashingtoni pretendon se të ardhurat e gjeneruara nga kjo skemë përdoren për financimin e aktiviteteve të lidhura me terrorizmin dhe korrupsionin e regjimit iranian.

Ngushtica e Hormuzit konsiderohet një nga korridoret më të rëndësishme detare në botë për transportin e naftës dhe gazit, ndërsa tensionet në këtë zonë kanë qenë prej kohësh në qendër të shqetësimeve ndërkombëtare.

Copyright © 2026 Miks News. All rights reserved.