Drejtori kombëtar i sigurisë kibernetike në Shtetet e Bashkuara, Sean Cairncross, është shkarkuar nga detyra, pas një serie problemesh dhe ndërprerjesh të sistemeve teknologjike që kanë prekur sektorë të rëndësishëm në vend.
Në vend të tij pritet të emërohet përkohësisht Kirsten Davies, e cila aktualisht mban postin e drejtoreshës së teknologjisë së informacionit në Departamentin amerikan të Mbrojtjes.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka përshëndetur emërimin e saj, duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunim në forcimin e sigurisë kibernetike të vendit.
“Urime drejtoreshës së re kombëtare të sigurisë kibernetike, Kirsten Davies. Pres me kënaqësi të bashkëpunojmë për të forcuar sigurinë kibernetike të Amerikës”, deklaroi Rubio.
Davies ka një përvojë të gjatë në administratën amerikane. Në Pentagon ajo ka shërbyer si këshilltare kryesore e sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegseth, për çështjet e menaxhimit të informacionit, teknologjisë, sigurisë kibernetike dhe mbrojtjes së sistemeve informative.
Largimi i Cairncross vjen në një periudhë kur disa institucione dhe sektorë në SHBA janë përballur me probleme teknologjike. Ndërprerje janë raportuar në transport, komunikime dhe shërbime bankare, si dhe në një sistem të brendshëm të përdorur nga Agjencia Kombëtare e Sigurisë (NSA).
Megjithatë, deri më tani nuk është konfirmuar nëse këto incidente kanë qenë shkaku i drejtpërdrejtë i shkarkimit të tij.
Drejtori kombëtar i sigurisë kibernetike ka përgjegjësinë të këshillojë presidentin amerikan për politikat dhe strategjinë e vendit në këtë fushë. Detyrat e tij përfshijnë mbrojtjen e të dhënave, sigurinë e informacionit dhe parandalimin e sulmeve e aktiviteteve keqdashëse në hapësirën digjitale.
Institucioni, i krijuar në vitin 2021, koordinon gjithashtu politikat e sigurisë kibernetike mes agjencive dhe institucioneve federale.
Në mars, administrata e presidentit Donald Trump prezantoi një strategji të re për sigurinë kibernetike. Në dokument theksohej angazhimi për të vepruar në mënyrë proaktive ndaj kërcënimeve digjitale.
Strategjia parashikon thjeshtimin e rregulloreve, modernizimin e sistemeve federale të informacionit, forcimin e mbrojtjes së infrastrukturës kritike dhe ruajtjen e epërsisë teknologjike të SHBA-së, veçanërisht në fushën e inteligjencës artificiale.
