Meteorologia Tanja Porja ka bërë parashikimin e motit për ditët në vijim, duke paralajmëruar rikthimin e reshjeve të shiut në disa zona të vendit.
Sipas saj, dita e sotme do të jetë me diell dhe temperatura të ngrohta, por në pjesën e dytë të ditës pritet shtim i vranësirave. Reshjet do të rikthehen të mërkurën dhe të enjten, kryesisht në veri dhe në zonat qendrore, ndërsa në jug do të jenë më të pakta.
Të premten priten reshje të pakta dhe afatshkurtra në orët e para të ditës, ndërsa e shtuna do të jetë pa reshje. Të dielën, moti do të bëhet sërish i paqëndrueshëm, me vranësira dhe reshje në jug dhe në zonat qendrore.
Sa i përket temperaturave, të mërkurën pritet një rritje e ndjeshme e tyre, me vlerat maksimale që do të arrijnë deri në 27 gradë Celsius në rang vendi. Të enjten, temperaturat do të rriten në mëngjes, por do të pësojnë një rënie me rreth 2 gradë gjatë mesditës.
Sipas Porjas, nga mesdita e së premtes dhe gjatë fundjavës, temperaturat do të jenë tipike për stinën e vjeshtës. Pas së dielës priten disa ditë me mot të kthjellët, përpara se paqëndrueshmëria atmosferike të rikthehet sërish drejt fundit të muajit tetor.
