Kryeministri Edi Rama do të udhëtojë sot drejt Ankarasë për të marrë pjesë në Samitin e NATO-s, ku liderët e vendeve anëtare do të diskutojnë zhvillimet më të fundit në fushën e sigurisë, mbrojtjes dhe sfidat me të cilat përballet Aleanca.
Gjatë vizitës në Turqi, Rama pritet të zhvillojë një takim dypalësh me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan. Takimi është pjesë e axhendës së presidentit turk me krerët e shteteve dhe qeverive që marrin pjesë në samit.
Në takimin dyditor marrin pjesë liderët e 32 vendeve anëtare të NATO-s dhe përfaqësues të institucioneve euroatlantike. Në qendër të diskutimeve do të jenë rritja e investimeve në mbrojtje, forcimi i kapaciteteve ushtarake të Aleancës, lufta në Ukrainë dhe zhvillimet e fundit në sigurinë euroatlantike.
Një nga takimet më të ndjekura pritet të jetë ai mes presidentit turk Recep Tayyip Erdogan dhe presidentit amerikan Donald Trump. Pjesëmarrja e Ramës në samit konsiderohet pjesë e angazhimit të Shqipërisë në NATO dhe koordinimit me aleatët për çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes.
