Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se Shqipëria është pranë një marrëveshjeje me një nga rrjetet e mëdha universitare me bazë në Londër, për hapjen e katër universiteteve të reja në vend.
Në podcast-in “Flasim”, Rama tha se projekti parashikon një universitet të mjekësisë në Fier, një universitet të përgjithshëm në Vlorë, një universitet për teknologjinë dhe inteligjencën artificiale në Korçë dhe një universitet të përgjithshëm në Tiranë.
Sipas tij, dy prej universiteteve pritet të nisin mësimin në vitin akademik 2027-2028, ndërsa dy të tjerat në 2028-2029.
Rama tha se universiteti i mjekësisë në Fier synohet të jetë ndërkombëtar, ndërsa për universitetin e Vlorës është planifikuar që të vendoset në qendër të qytetit, pranë Sheshit të Flamurit.
Kryeministri theksoi se Shqipëria do të vërë në dispozicion infrastrukturën, ndërsa partneri ndërkombëtar do të sjellë pedagogë. Gjithashtu, pjesë e projektit do të jetë edhe përzgjedhja e pedagogëve shqiptarë nga vendi dhe diaspora.
Rama tha se synimi është që marrëveshja të përfundojë brenda këtij viti dhe që të katër universitetet të jenë në funksion brenda vitit akademik 2028-2029.
