Qeveria miraton marrëveshjen për sigurimet shoqërore me Poloninë

Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, bëri të ditur se Këshilli i Ministrave ka miratuar në parim marrëveshjen për sigurimet shoqërore me Poloninë, duke e çuar në 17 numrin e marrëveshjeve të nënshkruara nga Shqipëria, 11 prej të cilave me vende të Bashkimit Europian.

Ibrahimaj theksoi se këto marrëveshje synojnë mbrojtjen e të drejtave të punës dhe njohjen e viteve të kontributeve për qytetarët që kanë punuar në Shqipëri dhe jashtë saj.

“Ministria e Ekonomisë sot kaloi një projekt vendim, një miratim në parim i marrëveshjes për sigurimet shoqërore me Poloninë, duke e çuar në 17 numrin e marrëveshjeve të nënshkruar nga RSH ku bashkë me marrëveshjen me Slloveninë janë 11 marrëveshje të cilat janë firmosur me vendet e Bashkimit Europian. Unë dua të kujtoj këtu që kjo është një politikë e cila prej disa vitesh tashmë ka filluar dhe është intensifikuar nga ana e qeverisë shqiptare, pasi është thelbësore në mbrojtjen e të drejtave të punës dhe në mbrojtjen e të drejtave dhe pagesave që çdo individ mund të marrë në të ardhmen pasi ka kryer disa vite pune në Republikën e Shqipërisë dhe disa vite pune në një vend tjetër. Ka qenë një problem i cili ndër vite është mbartur”, njoftoi Ibrahimaj.

Sipas ministres, deri tani rreth 20 mijë shqiptarë kanë përfituar nga marrëveshjet për njohjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore, ndërsa bëri të ditur se katër marrëveshje të tjera janë në proces negociatash dhe pritet të miratohen së shpejti.

“Gjatë vitit të kaluar kemi firmosur dhe ratifikuar marrëveshjen me Italinë që është më e rëndësishmja pasi numri i shqiptarëve që punojnë dhe jetojnë në Itali është shumë i lartë. Deri tani janë rreth 20.000 shqiptarë që kanë përfituar nga marrëveshjet që ne kemi firmosur për njohjen e viteve të kontributeve të sigurimeve shoqërore. Ndaj dhe jemi duke vazhduar me intensitet të lartë. Janë katër marrëveshje të tjera të cilat janë duke u negociuar dhe shumë shpejt ne mendojmë që do t’i sjellim Këshill Ministrave për t’u miratuar dhe më pas për t’u firmosur”, theksoi ministrja.

Copyright © 2026 Miks News. All rights reserved.