Protestat e dhunshme/ Qeveria miraton kompensimin për bizneset e dëmtuara, ndryshon ligjin për tubimet, gjoba deri në 500 mijë lekë

Qeveria ka miratuar dy akte normative, njëri prej të cilëve parashikon kompensimin nga shteti të bizneseve të dëmtuara nga aktet e dhunshme gjatë protestave të zhvilluara nga 13 deri më 22 tetor 2026.

Skema parashikon mbulimin e dëmeve materiale për bizneset me qarkullim vjetor deri në 14 milionë lekë, bazuar në deklaratën vjetore të vitit 2025.

Në të njëjtën mbledhje, Këshilli i Ministrave miratoi ndryshime në ligjin për tubimet, ku parashikohen kufizime të përkohshme në zona të caktuara dhe masa për mesazhet që bëjnë thirrje për dhunë.

Ndryshimet përfshijnë edhe gjoba administrative nga 10 mijë deri në 500 mijë lekë.

Këshilli i Ministrave vendosi miratimin e dy akteve normatike:

 -Për shpërblimin e dëmit civil të shkaktuar ndaj subjekteve të prekura nga aktet e dhunshme gjatë tubimeve dhe rregullimin e pasojave.

Objekt i rregullimit të këtij akti normativ është krijimi i një skeme kompensimi nga shteti për dëmet materiale të shkaktuara nga aktet e dhunshme gjatë tubimeve, të kryera nga individë, persona juridikë apo organizata të tjera, nga data 13.10.2026 deri në datën 22.10.2026, mbi pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme të personave fizikë ose juridikë privatë, që kategorizohen si biznese/tatimpagues, me kufi të qarkullimit deri në 14 milionë lekë, bazuar në deklaratën vjetore të vitit 2025.

-Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8773, datë 23.4.2001, “Për tubimet”.
Ligji përcakton Kufizimet e përkohshme rreth objekteve të përcaktuara, ku zona të mbrojtura janë:
a) stacionet, terminalet dhe mjetet e transportit publik, portet dhe aeroportet;
b) perimetri rreth institucioneve arsimore, shëndetësore dhe objekteve të trashëgimisë kulturore;
c) zonat e tjera të përcaktuara me vendim të këshillit bashkiak të botuar dhe të shënuara në terren, kur atje janë dokumentuar vepra të përsëritura kundër personit ose pronës.
 
-Kur nëpërmjet rrjeteve sociale, postës elektronike dhe/ose komunikimeve telefonike, përcillen, publikohen ose shpërndahen mesazhe, që përmbajnë thirrje për dhunë, në kuadër të organizimit ose zhvillimit të një tubimi, Policia e Shtetit, kërkon fshirjen e përmbajtjes, si dhe mospërsëritjen e veprimeve të tilla, duke e vënë në dijeni se ato përbëjnë shkelje të legjislacionit në fuqi.

Gjithashtu kanë ndryshuar dhe masat për kundërvajtje administrative ku dënimet fillojnë nga 10 000 (dhjetë mijë) deri në 500 000 (pesëqind mijë) lekë.

Njëherësh u miratuan dhe vendimet:

-Për mbulimin e shpenzimeve të mjekimit të z. Erion Vishkulli, në masën 5 000 000 (pesë milionë) lekë.

-Për miratimin e Strategjisë Sektoriale të Transportit dhe të planit të veprimit 2030.

-Për miratimin e numrit të përgjithshëm të personelit të Policisë së Shtetit.

-Për përcaktimin e fushës së përgjegjësisë shtetërore të Ministrisë së Administratës Publike.

-Për përcaktimin e procedurave të aplikimit, ndërveprimit institucional, kushteve, kritereve, rrethanave, dokumentimit dhe vërtetimit të interesit shtetëror, rregullave specifike të kontrollit të sigurisë dhe pastërtisë së figurës, si dhe për organizimin e funksionimin e Agjencisë Shtetërore të Posaçme të Shtetësisë.

Copyright © 2026 Miks News. All rights reserved.