Detaje të reja kanë dalë nga hetimi për skemën e dyshuar të përvetësimit të fondeve në filialin e Postës Shqiptare në Durrës, ku tre zyrtare janë arrestuar nën akuzën se kanë abuzuar me rreth 69 milionë lekë të rinj, para të destinuara për shpërndarjen e pensioneve dhe ndihmave sociale.
Gjatë seancës gjyqësore, ku u shqyrtua masa e sigurisë, është përmendur edhe frekuentimi i kazinove nga drejtoresha e filialit.
Elisabeta Mataj ka pranuar fjalën e mbrojtjes dhe nuk ka mohuar se ka frekuentuar kazino, por është shprehur se nuk ka pasur asnjë ndalim ligjor apo kontraktor që ta pengonte të shkonte në ambiente të tilla.
“Unë jam qytetare e lirë. Më shpjegoni se cila është kontrata e firmosur që nuk mund të shkoj në lokale, bare dhe kazino”, mësohet të jetë shprehur Mataj para gjykatës.
Ajo ka mohuar se i është shmangur drejtësisë, duke deklaruar se kishte planifikuar të udhëtonte jashtë vendit më 10 korrik, ndërsa në datat 13 dhe 14 korrik ka qenë në punë.
E pyetur nga gjykata se ku kanë përfunduar paratë që dyshohet se janë përvetësuar, Elisabeta Mataj është përgjigjur se nuk e di.
Hetimet pritet të zbardhin mënyrën se si është realizuar skema, rolin e secilës prej të arrestuarave dhe destinacionin e shumës prej 69 milionë lekësh, e cila ishte parashikuar për pagesat sociale ndaj qytetarëve.
