Negociatat SHBA -Iran, lirohen 12 miliardë dollarë asete të ngrira iraniane

Zëvendësministri i Jashtëm iranian, Kazem Gharibabadi, tha se Shtetet e Bashkuara kanë rënë dakord të lirojnë “menjëherë” 12 miliardë dollarë fonde të ngrira iraniane, pas përfundimit të negociatave të mbajtura në Zvicër.

“U ra dakord që marrëveshjet e nënshkruara në lidhje me lirimin e 12 miliardë dollarëve fonde të ngrira do të hyjnë në fuqi menjëherë”, tha Gharibabadi.

Këto deklarata bien ndesh me atë që tha dje zëvendëspresidenti i SHBA-së J.D. Vance, i cili deklaroi se fondet e ngrira për Iranin nuk do të lirohen nëse nuk arrihet përparim në negociatat që po zhvillohen në Zvicër midis dy vendeve për t’i dhënë fund luftës që filloi më 28 shkurt.

“Fondet nuk do të lirohen nëse nuk vazhdojmë të bëjmë përparim, gjë që padyshim do të jetë një aspekt kyç i negociatave në ditët në vijim”, tha zëvendëspresidenti 

Ndërkohë, Guvernatori i Bankës Qendrore të Iranit, Abdolnaser Hemmati, tha për Tasnim se kësti i parë prej 6 miliardë dollarësh do të përdoret pjesërisht për të blerë “mallra dhe ilaçe thelbësore”.

“Nëse çmimi dhe cilësia e produkteve amerikane janë më të përshtatshme se ato të vendeve të tjera, nuk kemi asnjë pengesë për t’i blerë ato”, theksoi Hemmati, duke sqaruar se nuk ka detyrim për të blerë inpute bujqësore nga Shtetet e Bashkuara.

Ndarja e dytë, që arrin në 6 miliardë dollarë të tjerë, nuk kufizohet vetëm në blerjen e mallrave thelbësore, theksoi guvernatori.

Copyright © 2026 Miks News. All rights reserved.