Një debat i tensionuar është zhvilluar në sallën e GJKKO-së mes Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit gjatë seancës gjyqësore ndaj tyre.
Raportohet se gjatë fjalës së tij, Meta ka mohuar çdo ndikim apo përfshirje në çështjet që lidhen me disa persona të përmendur në dosje, duke deklaruar se nuk ka pasur asnjë SMS apo komunikim që lidhet me ta.
“Nuk ekziston asnjëlloj ndikimi për Adrian Shatkun. As për askënd tjetër. Asnjë SMS për Monika Kryemadhin, Piro Xhixhon… Nuk kam asnjë dijeni për veprimet e Monika Kryemadhit, i di vetë ajo. Ato historitë e mesazheve i di zonja Kryemadhi”, u shpreh Meta në sallë.
Në vijim të seancës, Monika Kryemadhi i është përgjigjur Metës me tone të larta, duke kundërshtuar deklaratat e tij dhe duke i quajtur ato “thashetheme”.
“Boll se nuk është ashtu. Me llafet që të sjell Altin Dumani, thashetheme flet këtu. Mos u merr me llafe grash. Akoma merresh me thashethemet e Tedi Blushit?”, është shprehur Kryemadhi.
Pas ndërhyrjes së gjykatës për të qetësuar situatën, Kryemadhi ka vijuar replikat, duke thënë se nuk e duron më këtë situatë dhe duke paralajmëruar se mund të lexojë edhe mesazhe në sallë.
“Kam 4 vjet që e dëgjoj dhe e duroj. Edhe babai im të çohet nga varri, nuk e duroj dot më. Do të t’i lexoj dhe unë mesazhet ty, të marrësh vesh”, tha ajo, duke iu referuar edhe deputetit të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, i cili ndodhej në sallë.
Gjykata ndërhyri menjëherë duke paralajmëruar Kryemadhin se nëse vijon me sjellje të tilla mund të përjashtohet nga seanca dhe të gjobitet.
