Shpërthen bombola e gazit në një banesë në Lezhë, plagosen 6 pjesëtarë të një familjeje

Një bombol gazi ka shpërthyer mbrëmjen e kësaj të shtune në një banesë në fshatin Markatomaj të Lezhës.

Si pasojë e shpërthimit, 6 persona, pjesëtarë të së njëjtës familje, kanë mbetur të plagosur.

“Si pasojë e shpërthimit, kanë marrë dëmtime dy fëmijë të mitur, 10 dhe 13 vjeç, pronari i banesës, një 40-vjeçar, si dhe 3 gra, të moshave 64, 70 dhe 58 vjeçe”, njofton policia.

Të lënduarit janë transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Lezhës, ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore ndërsa ende nuk dihet gjendja e tyre shëndetësore.

Efektivët e Policisë kanë mbërritur në vendngjarje dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të shpërthimit.

Njoftimi i policisë

“Rreth orës 20:30, në një banesë në pronësi të shtetasit S. K., 40 vjeç, në fshatin Markatomaj, Lezhë, dyshohet se ka shpërthyer një bombol gazi.

Si pasojë e shpërthimit, kanë marrë dëmtime dy fëmijë të mitur, 10 dhe 13 vjeç, pronari i banesës, shtetasi S. K., 40 vjeç, si dhe shtetaset L. U., 64 vjeçe, L. B., 70 vjeçe dhe V. Gj., 58 vjeçe.

Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë ndihmuar në transportimin e të dëmtuarve në Spitalin Rajonal të Lezhës.

Shtetasi S. K. është transportuar në Spitalin e Traumës, Tiranë, për trajtim më të specializuar, ndërsa personat e tjerë të dëmtuar ndodhen në Spitalin Rajonal të Lezhës, ku po marrin mjekim dhe janë jashtë rrezikut për jetën.

Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor, i cili po punon për dokumentimin e plotë të rastit dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, njofton policia.

Copyright © 2026 Miks News. All rights reserved.