Takimi në Nju Jork mes ministrave të Jashtëm të Gjermanisë dhe Rusisë ka treguar se Moska “nuk është aspak e interesuar për negociata serioze” për Ukrainën, deklaroi kancelari gjerman Friedrich Merz.
“Ne po bëjmë përpjekje intensive diplomatike”, tha Merz në një konferencë për shtyp në Berlin, duke iu referuar takimit të papritur të së shtunës mes ministrit të Jashtëm gjerman Johann Wadephul dhe homologut të tij rus Sergei Lavrov, përpara fjalimit të këtij të fundit në Kombet e Bashkuara.
Takimi ishte i pari i këtij niveli që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Gjermania është aktualisht një nga mbështetësit kryesorë ushtarakë të Ukrainës.
Megjithatë, sipas Merz, mënyra se si Rusia e vlerësoi më pas takimin tregoi se Moska “nuk është aspak e interesuar për negociata serioze për momentin”.
Pas takimit me Wadephul, Lavrov mbajti një fjalim në podiumin e OKB-së, ku akuzoi Evropën se po kundërshton paqen në Ukrainë dhe deklaroi se Moska do t’i arrijë qëllimet e saj në Ukrainë “nën çdo rrethanë”.
“Nuk pati ndryshim, por në fund të fundit një tallje”, tha ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, duke komentuar qëndrimin rus pas takimit.
“Ne mundemi vetëm, edhe një herë, t’i bëjmë thirrje qeverisë ruse të ulet në tryezën e negociatave, për të zhvilluar diskutime serioze rreth përfundimit të kësaj lufte”, tha Merz.
Kancelari gjerman premtoi gjithashtu se do të “bëjë gjithçka që mundet për të vazhduar të ndihmojë Ukrainën”, ndërsa paralajmëroi se Rusia “do të duhet të paguajë çmimin” nëse vazhdon luftën.
