Fatima Zahra El Mansouri është emëruar kryeministre e Marokut, duke u bërë gruaja e parë që drejton qeverinë e vendit.
Emërimi erdhi pasi partia e saj e qendrës Partia e Autenticitetit dhe Modernitetit fitoi në zgjedhjet parlamentare të javës së kaluar.
El Mansouri 50 vjeçe u zgjodh nga mbreti Mohammed i gjashtë për të drejtuar qeverinë duke lënë pas kandidaturën e një prej figurave kryesore të partisë dhe drejtuesin e futobollit maroken Fouzi Lekjaa.
El Mansouri bëhet gjithashtu gruaja e dytë në botën arabe që merr detyrën e kryeministres pas Najla Buden në Tunizi.
E diplomuar për drejtësi, El Mansouri ka një karrierë të gjatë në politikë. Ajo u bë kryebashkiakja e parë grua e Marrakeshit në vitin 2009 dhe e mori sërish këtë detyrë pas zgjedhjeve të vitit 2021. Më parë ka shërbyer edhe si ministre.
Partia e saj fitoi 97 nga 395 vendet në parlament, por nuk ka shumicën absolute prej 198 mandatesh dhe do të duhet të formojë një koalicion qeverisës.
Maroku është monarki kushtetuese, ndërsa mbreti ruan kompetenca të rëndësishme politike. Sipas Kushtetutës, ai emëron kreun e qeverisë nga partia, që renditet e para në zgjedhjet parlamentare.
