Kaos në bankat amerikane, mijëra klientë përballen me probleme në aksesimin e llogarive

Pas problemeve të regjistruara në trafikun ajror dhe ndërprerjeve të shërbimeve teknologjike, një tjetër valë vështirësish ka prekur këtë të hënë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, këtë herë në sektorin bankar.

Mijëra klientë të disa prej bankave më të mëdha amerikane kanë raportuar probleme me aksesimin e llogarive online, përdorimin e aplikacioneve bankare, kontrollimin e gjendjes së llogarive dhe kryerjen e transfertave.

Sipas raportimeve të Associated Press dhe mediave amerikane, ndër institucionet e prekura janë Chase, Bank of America, Wells Fargo, U.S. Bank dhe Capital One. Probleme janë raportuar edhe nga përdoruesit e platformës së transfertave elektronike Zelle.

Vetëm për bankën Chase janë regjistruar mijëra ankesa në platformën Downdetector, ndërsa edhe institucionet e tjera kanë shënuar një rritje të ndjeshme të raportimeve nga klientët.

Chase ka konfirmuar një problem teknik, duke bërë të ditur se disa transaksione po përpunoheshin me vonesa, por duke siguruar se klientët vijonin të kishin akses në llogaritë dhe fondet e tyre. Nga ana tjetër, Wells Fargo njoftoi përkohësisht se shërbimi i saj bankar online ishte i padisponueshëm.

Sa i përket Zelle, kompania deklaroi se platforma e saj funksiononte normalisht dhe se vështirësitë e raportuara lidheshin me shërbimet e disa bankave.

Deri më tani, shkaku i përbashkët i këtyre problemeve mbetet i paqartë. Gjithashtu, nuk ka prova që ndërprerjet të jenë shkaktuar nga një sulm kibernetik.

Kjo situatë vjen pas një serie ndërprerjesh që kanë prekur së fundmi shërbime të rëndësishme teknologjike të Microsoft dhe trafikun ajror në SHBA, duke shtuar shqetësimet mbi qëndrueshmërinë e infrastrukturës dixhitale dhe shërbimeve kritike në vend.

Copyright © 2026 Miks News. All rights reserved.