Milano po përgatitet për një tjetër të shtunë tensionesh, pas trazirave të fundjavës së kaluar, kur grupe të rinjsh sulmuan dhe plaçkitën dyqane në qendër të qytetit. Për garantimin e rendit publik, në Milano pritet të dislokohen rreth 500 parashutistë, ndërsa disa zona të qytetit do të mbikëqyren nga forca të shtuara sigurie, përfshirë ushtrinë. Mobilizimi vjen pas trazirave të fundjavës së kaluar dhe frikës për përshkallëzim të dhunës gjatë protestave të reja.
Frika kryesore është përshkallëzimi i situatës dhe përplasjet mes të rinjve të përfshirë në dhunë dhe grupeve të tjera kundërshtare. Ndërkohë, lëvizja “17 Tetori” ka paralajmëruar demonstrata edhe në qytete të tjera të Italisë, pa zbuluar paraprakisht vendndodhjet.
Situata paraqitet e tensionuar edhe në Francë, ku protestat kundër rritjes së kostos së jetesës dhe përkeqësimit të shërbimeve publike janë shoqëruar me përleshje me policinë, djegie ndërtesash dhe plaçkitje dyqanesh.
Ministri i Brendshëm francez, Laurent Nunez, ka paralajmëruar masa të rrepta sigurie për protestën e së shtunës, me rreth 70 mijë efektivë policie dhe xhandarmërie të angazhuar në të gjithë vendin.
“Jemi gati të jemi jashtëzakonisht të përgjegjshëm, jashtëzakonisht të vendosur dhe nuk do të tolerojmë absolutisht asgjë. 70,000 oficerë policie dhe xhandarë do të vendosen në hapësira publike, duke përfshirë si personelin lokal nga departamentet e ndryshme, ashtu edhe personelin nga forcat mobile”, Laurent Nunez, Ministër i Brendshëm i Francës.
Nga ana tjetër, presidenti francez Emmanuel Macron ka paralajmëruar ndalimin e protestave të paligjshme në ditët në vijim, pas trazirave dhe plaçkitjeve të fundjavës së kaluar.
“Le të jemi të qartë, kjo është ajo që ata vetë kanë ndërmend hapur, me rrezikshmëri ekstreme, dhunë të madhe dhe planifikim. Dhe krahas kësaj, pati akte kriminale, të cilat gjithashtu duhet t’i trajtojmë me vendosmërinë më të madhe, por që nuk janë të së njëjtës natyrë.”, presidenti francez Emmanuel Macron.
Protestat, që nisën me mobilizimin e nxënësve për kushte më të mira në shkolla, duket se tashmë kanë dalë përtej kërkesave fillestare, duke reflektuar një pakënaqësi më të gjerë sociale. Një klimë protestash dhe trazirash që duket se po përhapet në disa vende të Europës, ku pakënaqësia ndaj qeverive po del gjithnjë e më shumë në pah.
