Hantavirusi! Sa lloje ekzistojnë, si transmetohet dhe pse nuk duhet të shqetësohemi

Shpërthimi i fundit i hantavirusit në anijen turistike holandeze MV Hondius ka ngritur shqetësime në disa vende, pasi bëhet fjalë për virusin e Andeve, i vetmi variant i hantavirusit për të cilin është dokumentuar, edhe pse shumë rrallë, transmetimi nga njeriu te njeriu. Megjithatë, ekspertët ndërkombëtarë theksojnë se aktualisht nuk ka arsye për alarm.

Sipas European Centre for Disease Prevention and Control dhe World Health Organization, rreziku për shëndetin publik mbetet i ulët dhe situata po monitorohet nga afër.

Specialistët sqarojnë se rastet e raportuara nuk përbëjnë sinjal për një pandemi të re. Epidemiologu grek Gikas Mayorkinis, pedagog në Universitetin Kombëtar të Athinës, deklaroi për mediat greke se transmetimi i virusit nga një person tek tjetri është “jashtëzakonisht i rrallë” dhe ndodh vetëm në kushte kontakti shumë të afërt dhe të zgjatur.

Sipas tij, hantaviruset ekzistojnë prej mijëra vitesh dhe zakonisht përhapen nga brejtësit. Në Amerikën e Jugut qarkullojnë të ashtuquajturit “viruse të Botës së Re”, ku përfshihet edhe virusi i Andeve, i njohur për format më të rënda respiratore.

Ekspertët theksojnë se variantet e gjetura në Evropë kanë simptoma më të lehta dhe nuk transmetohen nga njeriu te njeriu. Ndërsa në Amerikën Latine shkalla e vdekshmërisë mund të arrijë nga 10 deri në 30%, specialistët besojnë se këto shifra mund të jenë të fryra, pasi shumë raste të lehta nuk diagnostikohen fare.

Sipas të dhënave të OBSH-së, çdo vit në botë regjistrohen nga 10 mijë deri në 100 mijë raste me hantavirus, me pasoja që ndryshojnë në varësi të variantit të virusit. Aktualisht nuk ekziston një vaksinë apo trajtim specifik, ndërsa kujdesi mjekësor përqendrohet te menaxhimi i simptomave.

Sa i përket simptomave, në Amerikë infeksioni mund të shkaktojë sindromë të rëndë kardiopulmonare, ndërsa në Evropë zakonisht nis me temperaturë, lodhje dhe më pas prek funksionin e veshkave. Shenjat mund të shfaqen nga një deri në tetë javë pas ekspozimit ndaj virusit.

Transmetimi lidhet kryesisht me kontaktin me urinën, jashtëqitjet ose lëngje të tjera biologjike të brejtësve të infektuar. Për këtë arsye, ekspertët rekomandojnë masa bazë higjiene, sidomos në ambiente rurale apo të mbyllura, si dhe përdorimin e dorezave dhe maskës gjatë pastrimit të zonave ku mund të ketë prani brejtësish.

Copyright © 2026 Miks News. All rights reserved.