Gogu: Amnistia Penale është zbatuar plotësisht, 553 persona janë liruar

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, deklaroi se Amnistia Penale tashmë është zbatuar plotësisht, duke bërë të ditur edhe bilancin e përfituesve nga zbatimi i ligjit.

Gjatë konferencës për shtyp, Gogu tha se ligji u miratua më 18 qershor dhe pas përfundimit të procedurave ka hyrë në zbatim në bashkëpunim me Prokurorinë e Përgjithshme dhe të gjitha prokuroritë në vend.

“Sa i përket Amnistisë Penale, jemi duke folur për një ligj të zbatuar. U miratua më 18 qershor, u miratua më 15 korrik dhe sot është zbatuar tërësisht në bashkëpunim me Prokurorinë e Përgjithshme dhe të gjitha Prokuroritë”, tha ministri.

Gogu tha se nga zbatimi i amnistisë, 553 persona janë liruar, 863 persona kanë përfituar ulje dënimi, ndërsa 2300 persona kanë përfituar nga shërbimi i provës.

Ministri pranoi se amnistia ka krijuar debat publik, por theksoi se kriteret nuk përcaktohen nga ministri i Drejtësisë apo nga opinioni publik, por nga Kuvendi përmes ligjit të miratuar.

“Kriteret e amnistisë nuk i cakton as ministri i Drejtësisë dhe as opinioni publik. Kriteret i vendos Kuvendi i Republikës, i cili i ka miratuar dhe ne i kemi zbatuar”, u shpreh Gogu.

Ai nënvizoi se nga përfitimi janë përjashtuar kategoritë e veprave të rënda penale, përfshirë krimin e organizuar, vrasjet në rrethana cilësuese dhe terrorizmin.

Një tjetër sfidë që ministri evidentoi lidhet me trajtimin e personave të dënuar që kanë edhe vendime gjykate për gjendjen e shëndetit mendor. Sipas tij, këta persona duhet të trajtohen si të pamundur fizikisht dhe kërkojnë një qasje të veçantë nga sistemi.

Copyright © 2026 Miks News. All rights reserved.