E rëndë në Burrel/ Vajza dyshohet se i hodhi benzinë babait 89-vjeçar dhe i vuri flakën

Një ngjarje tronditëse është regjistruar në fshatin Rremull të Burrelit, ku një 43-vjeçare dyshohet se ka tentuar të vrasë babanë e saj 89-vjeçar, duke e lyer me benzinë dhe më pas duke i vënë flakën.

Viktima, i identifikuar si Adem Mara, ka pësuar djegie të rënda në trup dhe është transportuar me urgjencë drejt një spitali në Tiranë, ku po merr trajtim mjekësor.

Ngjarja është denoncuar në polici nga fqinjët, të cilët kanë ndërhyrë për t’i ardhur në ndihmë të moshuarit pas incidentit.

Pas veprimeve të para hetimore, policia ka ndaluar vajzën e tij, Majlinda Mara, 43 vjeçe. Ende nuk dihen motivet që dyshohet se e çuan atë drejt këtij akti, ndërsa autoritetet po hetojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.

Ndaj 43-vjeçares është ngritur akuza për “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”, e mbetur në tentativë.

Çështja po ndiqet nga Prokuroria e Dibrës, e cila pritet të kërkojë masën e sigurisë “Arrest në burg” për të dyshuarën.

Copyright © 2026 Miks News. All rights reserved.