Bileta e autobusit në Tiranë mund të shtrenjtohet nga 1 qershori

Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas ka paralajmëruar se çmimi i biletës urbane mund të rritet me 30 lekë duke nisur nga 1 qershori.

Shkak për këtë, sipas operatorëve, është detyrimi i ri për vendosjen e terminaleve POS/POI në autobusët urbanë, vendim që sipas tyre sjell kosto të larta financiare.

Në një kërkesë drejtuar Drejtorisë së Tatimeve, Kryeministrisë dhe Bashkisë së Tiranës, shoqata shpreh shqetësimin se tarifat bankare për pagesat me kartë janë tepër të larta për sektorin e transportit urban.

Aktualisht, një biletë autobusi kushton 40 lekë, ndërsa vetëm tarifa fikse për çdo transaksion me kartë arrin në 30 lekë. Përveç kësaj, operatorët përmendin edhe komisione shtesë deri në 3.20%, kostot e instalimit dhe mirëmbajtjes së pajisjeve.

Sipas tyre, pa mbështetje financiare ose subvencionim nga shteti, rritja e çmimit të biletës mund të bëhet e pashmangshme.

Operatorët ngrenë shqetësime edhe për menaxhimin e fluksit të lartë të pasagjerëve dhe mënyrën si do të funksionojë sistemi i ri në praktikë.

Copyright © 2026 Miks News. All rights reserved.