Dy anije që ndodheshin në ujërat e Detit të Zi, pranë Bullgarisë, janë goditur nga dronë, ndërsa njëra prej tyre është fundosur.
Lajmi u bë i ditur të martën, më 13 tetor, nga kryeministri bullgar, Rumen Radev, i cili e cilësoi sulmin si të papranueshëm.
Sipas deklaratës së kryeministrit, autoritetet morën sinjalin e parë të alarmit rreth orës 01:30, sipas orës lokale, për një anije që ishte goditur.
Anija, e cila mbante flamurin e Maltës dhe ishte në pronësi ukrainase, u godit nga tre dronë. Sipas Radevit, i gjithë ekuipazhi i saj u shpëtua.
Por incidenti nuk përfundoi me kaq. Një tjetër anije u godit në të njëjtën zonë dhe si pasojë u fundos. Nga kjo anije, një anëtar i ekuipazhit arriti të shpëtohej, ndërsa nuk janë bërë të ditura detaje të tjera mbi fatin e personave të tjerë që ndodheshin në bord.
Kryeministri bullgar deklaroi se për sulmin është informuar edhe NATO-ja. Ai bëri të ditur gjithashtu se do të thërrasë ambasadoren e Rusisë për të kërkuar sqarime lidhur me atë që e cilësoi si një sulm të papranueshëm.
Deri në këtë fazë, nuk janë bërë publike detaje të plota mbi autorët e sulmit.
Autoritetet pritet të japin informacione të mëtejshme lidhur me incidentin dhe pasojat e tij.
