Dy persona janë arrestuar nga Policia e Tiranës dhe ajo e Fierit, të dyshuar për abuzim seksual dhe trafikim të një 13-vjeçareje shqiptaro-amerikane, e cila ishte larguar nga banesa rreth një javë më parë dhe u gjet ditën e sotme në Tiranë.
Në pranga ka rënë Adrian Qerimi, 46 vjeç, banues në Tiranë, ndërsa në Fier është ndaluar Elton Vrenozi, 49 vjeç, banues në Fier.
Sipas Policisë, pas kallëzimit të familjarëve për largimin e të miturës nga banesa, nisën kërkimet për gjetjen e saj, në bashkëpunim mes strukturave të Policisë së Shkodrës, Tiranës dhe Fierit, nën drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës dhe me asistencën e strukturave të sigurisë së Ambasadës së SHBA-së.
Pas disa ditësh kërkimesh, 13-vjeçarja u gjet në Tiranë.
Ndaj dy të arrestuarve, Gjykata ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg”. Ata dyshohen për veprat penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur” dhe “Trafikimi i të miturve”, të parashikuara nga nenet 100 dhe 128/b të Kodit Penal.
Hetimet vijojnë për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në ngjarje.
