Alarm demografik në Shqipëri, lindjet bien me 10.5%, në 7 qarqe vdekjet tejkalojnë lindjet

Miks Albania

Shqipëria po përballet me një tjetër sinjal shqetësues në zhvillimet demografike. Lindjet në vend kanë pësuar një rënie prej 10.5% në tremujorin e tretë të vitit 2026, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa në shumicën e qarqeve numri i vdekjeve rezulton më i lartë se ai i lindjeve.

Sipas të dhënave të INSTAT, gjatë periudhës korrik-shtator 2026 në Shqipëri u regjistruan 5,787 lindje dhe 5,045 vdekje. Pavarësisht rënies së lindshmërisë, bilanci natyror i popullsisë në shkallë kombëtare mbetet pozitiv, me 742 lindje më shumë se vdekje.

Por situata paraqitet ndryshe në nivel rajonal. Në 7 nga 12 qarqet e vendit, vdekjet kanë tejkaluar lindjet, duke treguar një shpërndarje gjithnjë e më të pabarabartë të shtesës natyrore të popullsisë.

Korça regjistron bilancin më negativ, me 220 vdekje më shumë se lindje. Në krahun tjetër, Tirana kryeson me një shtesë natyrore prej 1,380 banorësh, duke mbajtur edhe rekordin për numrin e lindjeve. Në kryeqytet erdhën në jetë 2,708 foshnja gjatë tre muajve, ndërsa Gjirokastra regjistroi numrin më të ulët, me vetëm 66 lindje.

Rënia e lindshmërisë konfirmohet edhe nga të dhënat sipas qarqeve. Në 10 prej tyre janë regjistruar më pak lindje krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2025. Rënia më e fortë është shënuar në Fier, me 20.1%, ndërsa Dibra rezulton ndër qarqet me ecurinë pozitive, me një rritje prej 3.9%.

Të dhënat nxjerrin në pah sfidat demografike me të cilat po përballet Shqipëria, ku rënia e lindshmërisë dhe shtesa natyrore negative në shumicën e qarqeve po bëhen gjithnjë e më të dukshme. Një tendencë që ngre pikëpyetje për të ardhmen e popullsisë, strukturën e saj moshore dhe zhvillimin demografik të vendit.

Copyright © 2026 Miks News. All rights reserved.