Autoritetet braziliane i kanë dhënë dritën jeshile kërkesës së Shqipërisë për ekstradimin e Ervin Matës, i cili kërkohet nga drejtësia shqiptare pasi akuzohet për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
Vendimi është marrë më 14 shtator 2026 nga Gjykata Supreme Federale e Brazilit, e cila ka vlerësuar se kërkesa e paraqitur nga Qeveria shqiptare shoqërohej me dokumentacionin e nevojshëm dhe përmbushte kriteret e përcaktuara në legjislacionin brazilian për migracionin.
Gjykata braziliane ka vlerësuar gjithashtu se veprat penale për të cilat autoritetet shqiptare kërkojnë ekstradimin e Matës kanë korrespondencë në legjislacionin penal brazilian. Po ashtu, është konstatuar se afati i parashkrimit për ndjekjen penale nuk ka përfunduar.
Kush është Ervin Mata?
Ervin Mata është një personazh i njohur për drejtësinë shqiptare, i konsideruar si një nga baronët e drogës. Prokuroria e Posaçme ka arritur të dokumentojë me fakte përfshirjen e tij në katër episode ku janë trafikuar qindra kilogramë kokainë nga Amerika Latine, kryesisht nga Ekuadori dhe Brazili.
Lënda narkotike fillimisht zbarkonte në disa porte të Evropës dhe më pas shpërndahej në qytete të tjera evropiane dhe në Shqipëri. Sipas SPAK, paratë janë investuar kryesisht në Shqipëri në biznese dhe prona të shumta. Janë verifikuar pasuritë e familjarëve të tij dhe është bërë sekuestrimi i tyre.
Në këtë dosje është i përfshirë edhe nipi i tij, Realbi Breçani, djali i ish-drejtuesit të lartë të policisë, Erzen Breçani. Realbi Breçani u kap në Spanjë.
Ervin Mata është gjithashtu një personazh i njohur për “masakrën e Bllokut”, ku pati një përplasje mes tij dhe bosit të lojërave të fatit, tashmë të zhdukur, Ervis Martini. Ky konflikt nisi pasi Martini kishte ngacmuar të fejuarën e Matës në atë kohë, këngëtaren Elvana Gjata.
Përveç trafikimit të lëndëve narkotike, ndaj Ervin Matës rëndojnë disa akuza.
SPAK ka dokumentuar katër raste specifike:
Sekuestrimi i 446 kg kokainë në Holandë më 5 janar 2021, ku Mata dyshohet si organizator.
Sekuestrimi i 61 kg kokainë në Brazil më 18 shkurt 2021.
Sekuestrimi i 166 kg marihuanë në Spanjë, e nisur për në Gjermani.
Sekuestrimi i 250 kg kokainë të nisur nga Brazili për në aeroportin e Frankfurtit, Gjermani.
Këto episode janë dokumentuar në bashkëpunim me nëntë shtete evropiane. Gjithashtu, ka dyshime se grupi ku bën pjesë Ervin Mata është i përfshirë në porositjen e disa vrasjeve, ngjarje të cilat po hetohen ende nga SPAK.
