Rruga e Komanit, një nga rrugët që ishte lënë në harresë prej shumë kohësh, tashmë ka marrë një pamje krejt tjetër.
Kreu i qeverisë Edi Rama ka shpërndarë një video në rrjetet sociale nga kjo rrugë, tashmë e transformuar. Rama shprehet se rruga ndodhet në një peisazh spektakolar të veriut të Shqipërisë.
“Mirëmëngjes dhe me rrugën e transformuar të Komanit, mes një peisazhi spektakolar të veriut shqiptar, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan kryeministri Rama.
Rruga e Komanit, e amortizuar prej vitesh dhe një nga kërkesat e kahershme të komunitetit të zonës kishte nisur rikonstruktimin që në mars 2025. Kjo rrugë është një nga më maloret, por edhe më piktoreske në veri të Shqipërisë.
Ajo lidh qytetin e Shkodrës me liqenin e Komanit dhe vazhdon drejt Fierzës, duke shërbyer si pjesë e një itinerari të rëndësishëm për ata që udhëtojnë drejt Alpeve Shqiptare. Zona është një nga destinacionet turistike kryesore të qarkut të Shkodrës, pasi të çon drejt lumit të Shalës.
