Një zjarr masiv që po përhapet me shpejtësi në provincën British Columbia, në Kanadanë perëndimore, ka detyruar më shumë se 20 mijë banorë të largohen nga shtëpitë e tyre, ndërsa autoritetet kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme dhe kanë paralajmëruar se situata mund të përkeqësohet.
Një grua 80-vjeçare humbi jetën ndërsa përpiqej të largohej nga banesa e saj, bënë të ditur Forcat e Armatosura Kanadeze të dielën.
Zjarri, i pagëzuar nga autoritetet si “Bald Range”, shpërtheu të premten pasdite pranë liqenit Okanagan, në pjesën jugore të British Columbia-s. Flakët u përhapën me shpejtësi, duke kërcënuar zona të banuara dhe duke detyruar mijëra familje të braktisin banesat.
Familja Goodman, e cila jeton në komunitetin Pittsland, ishte mes banorëve të urdhëruar të evakuoheshin në orët e para të mëngjesit.
Larry dhe Maura Goodman treguan se u zgjuan rreth orës 3:00 të mëngjesit pasi autoritetet u kërkuan të largoheshin menjëherë nga shtëpia. Ata u bashkuan me fqinjët dhe formuan një konvoj për të udhëtuar drejt West Kelowna, në kërkim të një zone më të sigurt.
“Shumë prej tyre ishin të moshuar dhe kishin frikë të ngisnin makinën natën”, tha Maura Goodman për AFP.
Pasi u siguruan që të gjithë kishin marrë në automjetet e tyre sendet e nevojshme, Larry Goodman vendosi një llambë në pjesën e përparme të makinës për të përmirësuar shikueshmërinë gjatë largimit.
Larry Goodman tha se fakti që ata arritën të largoheshin në kohë ishte kryesisht çështje fati. Familja ende nuk e di nëse shtëpia e tyre dhe komuniteti ku jetonin i kanë shpëtuar flakëve apo janë përfshirë nga zjarri.
Në West Kelowna, Rob Henson, pjesë e Ushtrisë së Shpëtimit, tha se zjarri ka prekur njerëz nga shtresa të ndryshme shoqërore.
“Ne po ndihmojmë emigrantët që u detyruan të largoheshin nga fermat ku punonin. Ata mbetën pa rroba apo asgjë tjetër”, tha Henson.
Autoritetet kanë paralajmëruar se kushtet e thata në rajon mund ta përkeqësojnë situatën. Provinca British Columbia i ka kërkuar qeverisë federale ndihmë për strehimin e përkohshëm të personave që janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre.
Zjarret e këtij viti në Kanada janë ndër më shkatërruesit e regjistruar ndonjëherë. Vendi po përballet me temperatura në rritje dhe kushte gjithnjë e më të thata, ndërsa zjarret e mëdha kanë vënë në vështirësi kapacitetet e autoriteteve për t’i përballuar ato.
Më shumë se 40 milionë hektarë tokë, kryesisht pyjore, janë djegur që nga fillimi i vitit, sipas të dhënave të fundit të qeverisë federale.
Kanadaja përballet gjithashtu me vështirësi në menaxhimin e një numri kaq të madh zjarresh. Për këtë arsye, autoritetet po përqendrojnë një pjesë të madhe të burimeve në mbrojtjen e zonave të banuara dhe evakuimin e popullsisë.
Dhjetëra mijëra persona janë detyruar të largohen nga banesat e tyre gjatë sezonit të zjarreve, ndërsa tymi ka ndikuar ndjeshëm edhe në cilësinë e ajrit në qytete të mëdha, përfshirë Toronton.
Qeveria në Ottawa po përpiqet të përshtatet me situatën duke forcuar flotën e avionëve zjarrfikës dhe duke nxitur një menaxhim më aktiv të pyjeve.
Megjithatë, për banorët e evakuuar, pasiguria mbetet e madhe. “Njerëzit janë thjesht të pasigurt. Ata duan të kthehen në jetën e tyre të vjetër dhe është e vështirë”, tha Rob Henson.
