Byroja Federale e Hetimeve, FBI po ofron një shpërblim deri në 15,000 dollarë për informacione që do të ndihmojnë në identifikimin dhe arrestimin e personit ose personave përgjegjës për vdekjen e një foshnje të porsalindur, e cila u gjet në një tualet në festivalin muzikor Electric Forest në Miçigan.
Trupi i foshnjës u gjet më 28 qershor nga një punonjës i kompanisë së mirëmbajtjes së tualeteve, ndërsa po pastronte vendin e festivalit. Policia Shtetërore e Miçiganit ka nisur hetimet me FBI-në që po ndihmon në hetim.
Në një deklaratë të re, autoritetet njoftuan se gjetjet paraprake të autopsisë tregojnë se foshnja ka lindur e gjallë dhe ishte e shëndetshme.
Njëkohësisht, ata deklaruan se nuk mund të bëjnë publike më shumë informacion në lidhje me rastin, me qëllim ruajtjen e integritetit të hetimit.
Disa ditë më parë, autoritetet policore kishin njoftuar se po hetonin një grua, e cila kishte marrë pjesë në festival dhe konsiderohej se kishte informacione të dobishme.
Pas dëshmisë së saj, autoritetet njoftuan se ajo kishte bashkëpunuar plotësisht me hetuesit dhe ishte hequr nga lista e të dyshuarve.
