Gjendet i vdekur në rrugë i riu shqiptar në Angli, policia britanike arreston dy të dyshuar për vrasje

Një 28-vjeçar shqiptar ka humbur jetën në Leicester të Anglisë, pasi u gjet i plagosur rëndë në një rrugë të qytetit. Viktima është identifikuar nga Policia e Leicestershire si Ervin Lita, i njohur edhe me emrin Ervin Axhami.

Sipas autoriteteve britanike, shërbimet e emergjencës u njoftuan rreth orës 06:58 të mëngjesit të së dielës, pasi një ekip i ambulancës së East Midlands gjeti të riun të plagosur rëndë në Compton Road. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për t’i shpëtuar jetën, 28-vjeçari u shpall i vdekur në vendngjarje.

Në kuadër të hetimeve, policia arrestoi dy persona, të moshave 36 dhe 27 vjeç, banues në Leicester, të dyshuar për përfshirje në vrasje. Më pas, ata u liruan me kusht, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë.

Sipas policisë, ende nuk janë sqaruar rrethanat se si Ervin Lita përfundoi i plagosur në rrugë. Hetuesit po analizojnë pamjet e kamerave të sigurisë, provat mjeko-ligjore dhe dëshmitë e personave që mund të kenë parë ose dëgjuar diçka në zonën ku ndodhi ngjarja.

Copyright © 2026 Miks News. All rights reserved.