Amarildo Islamaj, 34 vjeç, nga Vlora, humbi jetën ditën e djeshme si pasojë e një aksidenti automobilistik në afërsi të fshatit Pojskë, në Pogradec. Sipas dyshimeve të para, automjeti me të cilin ai u aksidentua dyshohet se ishte vjedhur pak minuta më parë.
Sipas Policisë, 34-vjeçari kishte shkuar në fshatin Leshnicë, ku dyshohet se vodhi automjetin. Më pas, ai ka hequr targat shqiptare dhe ka vendosur targa të huaja, polake.
Edhe pse nuk ishte në ndjekje nga policia, ai po udhëtonte me shpejtësi të lartë me qëllim largimin nga zona e Pogradecit. Në këto rrethana, dyshohet se ka humbur kontrollin e mjetit dhe është përfshirë në aksidentin fatal.
Policia ka arritur në këto përfundime pas denoncimit të pronarit të automjetit, si dhe nga deklarimet e një personi tjetër që ndodhej në automjet me 34-vjeçarin dhe që mbeti gjithashtu i plagosur nga aksidenti.
