Rama shkarkon Veliajn nga drejtimi politik i Tiranës, në vend të tij Albana Koçiu dhe Ervin Demo

Albana Koçiu dhe Ervin Demo marrin drejtimin politik të Partisë Socialiste në Tiranë. Vendimi u bë i ditur gjatë mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të PS-së në Gjirin e Lalëzit.

Kryeministri Edi Rama ka vendosur të ndryshojë drejtimin politik të Partisë Socialiste në qarkun e Tiranës, duke caktuar Albana Koçiun dhe Ervin Demon si bashkëdrejtues të rinj politikë.

Dy emrat e rinj zëvendësojnë drejtuesit e mëparshëm, Erion Veliajn, Taulant Ballën dhe Ogerta Manastirliun.

Vendimi është bërë i ditur gjatë punimeve të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, e cila po zhvillohet në Gjirin e Lalëzit, nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama.

Ndryshimi vjen në një moment tensionesh të forta brenda Partisë Socialiste, veçanërisht në marrëdhëniet mes kryeministrit Rama dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i cili ndodhet në burgun e Fierit.

Vetëm pak orë përpara mbledhjes së Asamblesë, Veliaj u ka dërguar anëtarëve të saj një letër, ku ka kërkuar aktivizimin e procedurës së mocionit të mosbesimit ndaj kryetarit të Partisë Socialiste.

Ndërkohë, Rama ka paralajmëruar një riorganizim më të gjerë të strukturave drejtuese të PS-së në të gjithë vendin. Sipas raportimeve mediatike, numri i drejtuesve politikë në qarqe pritet të dyfishohet, nga 12 në 24, me nga dy drejtues për çdo qark.

Ndryshimet shënojnë një riorganizim të drejtimit politik të socialistëve në kryeqytet, në prag të zgjedhjeve vendore të vitit 2027.

Copyright © 2026 Miks News. All rights reserved.