Vala e të nxehtit godet Europën, humbin jetën dy fëmijë në Francë, Britania mbyll shkollat

Miks Albania

Një valë e fortë të nxehti po përfshin Europën, duke sjellë pasoja tragjike dhe masa të jashtëzakonshme në disa vende.

Në jug të Francës, dy fëmijë të moshës 2 dhe 4 vjeç humbën jetën pasi u gjetën brenda një automjeti në temperatura që arritën deri në 39 gradë Celsius. Autoritetet franceze po hetojnë rrethanat e ngjarjes, ndërsa pista kryesore mbetet ekspozimi ndaj nxehtësisë ekstreme. Pavarësisht ndërhyrjes së ekipeve të emergjencës, përpjekjet për t’i rikthyer në jetë rezultuan të pasuksesshme.

Ndërkohë, temperaturat e pazakonta po shkaktojnë probleme edhe në Britaninë e Madhe. Dhjetëra shkolla në Angli dhe Uells kanë vendosur të mbyllen ose të reduktojnë orarin mësimor për të mbrojtur nxënësit dhe stafin nga rreziku i të nxehtit ekstrem.

Në shumë zona, mësimi është zhvendosur online ose është ndërprerë më herët se zakonisht, ndërsa drejtuesit e institucioneve arsimore po marrin masa për të garantuar sigurinë dhe mirëqenien e nxënësve.

Ekspertët paralajmërojnë se temperaturat mund të arrijnë nivele të pazakonta për Britaninë, ndërsa autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin ekspozimin e gjatë në diell dhe të tregojnë kujdes të veçantë për grupet më të rrezikuara.

Ndërsa Europa po përballet me një tjetër episod të motit ekstrem, vala e të nxehtit po rikthen në vëmendje shqetësimet mbi ndikimin gjithnjë e më të dukshëm të ndryshimeve klimatike në kontinent.

Copyright © 2026 Miks News. All rights reserved.